Ramushi në shtëpi
Ramush Haradinaj iu kthye familjes së tij të enjten në mesditë. Deri në prag të shtëpisë e përcollën policët e EULEX’it, të cilët tash e tutje do t’i rrinë pas deri kur të kthehet në Hagë për ta dëgjuar vendimin përfundimtar të Tribunalit. Sipas rregullave të masës së lirimit të përkohshëm, Lideri i AAK’së duhet të paraqitet çdo javë në polici.
Është gati mesditë dhe Anita Haradinaj shikonte shpesh orën. Ajo dhe tre fëmijët, të enjten, prisnin ardhjen e bashkëshortit dhe babait në shtëpi.
Të gjithë qëndronin para derës së shtëpisë në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Pas gati dy vjetësh mungese të Ramush Haradinajt në shtëpi, pritja bëhej edhe më e gjatë dhe e padurueshme.
E derisa ajo dhe fëmijët prisnin, në këtë kohë, aeroplani i kompanisë “Austrian Airlines” aterroi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Ky avion dukej të enjten ishte më i veçanti. Ai solli në Kosovë ish-Kryeministrin Ramush Haradinaj.
Në Aeroport, ish Komandantin e UCK-së nuk e priti askush. As ish ushtarët e tij apo familjarët.
Por, këtë vetë e kishte kërkuar.
Madje, në përpjekje për të respektuar deri në detaj rregullat strikte të Tribunalit të Hagës, partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u bëri thirrje edhe medieve të mos jenë aty.
Aty e prisnin policët e EULEX-it, të cilët me tri vetura e morën dhe e nxorën nga Aeroporti në një rrugë tjetër, duke iu shmangur medieve të shumta që prisnin.
Nën përcjelljen e EULEX-it, Ramush Haradinaj, pas orës 12 të së enjtes, arriti në shtëpi.
Aty e prisnin të gjithë.
Edhe aty policia e EULEX-it nuk lejoi njerëzit që t’i afrohen Haradinajt, që aktualisht ka statusin e një të paraburgosuri të liruar të mbrohet në liri.
Për pak minuta, shtëpia e Haradinajt u mbush me vizitorë.
Zyrtarëve të AAK-së e miqve të shumtë pas disa minutash iu bashkua edhe Hilmiu, babai i Haradinajt, së bashku me nipin Luanin.
Ata i priti te dera e shtëpisë djali tjetër, deputeti Daut Haradinaj.
“Mirë se vjen Hilmi! Hy brenda, aty e ke Ramushin”, i thotë Dauti babait të tij.
E bacës Hilmi sikur nuk i pritej të hynte brenda dhe të çmallej me të birin, të cilin nuk e ka parë gati tash e dy vjet.
Ai nuk e priti pjesën tjetër të familjes që vinin nga Gllogjani.
E në fytyrën e Dautit shihej qartë gëzimi që vëllai i tij u kthye në shtëpi.
Duke iu uruar të gjithëve për ardhjen e Ramushit, deputeti Haradinaj u shpreh se kthimi i Ramushit është lajm i mirë jo vetëm për familjen, por edhe për Kosovën.
“Unë pres që sa më shpejt të përfundojë ky proces maratonik në mënyrë që ai t’i kthehet jetës dhe punës së vet”, tha Daut Haradinaj pak pas mbërritjes së të vëllait në shtëpi.
Deputeti Haradinaj nuk ka dashur të komentojë masat e ndërmarra nga EULEX-i për të vëllanë.
Sipas tij, është çështje e tyre se si ata kanë vendosur për sigurinë e tij.
Ndërkohë, derisa familja po përshëndetej me ish-komandantin e UCK-së, në lagjen “Arbëria” arriti edhe numri i dy i EULEX-it, Andy Sparks.
Përveç tij, shtëpinë e liderit të AAK-së e kanë mësyrë edhe disa nga zyrtarët e AAK-së, si Blerim Shala, Melihate Tërmkolli, Avni Arifi, Haki Shatri, etj.
Këta dhe qytetarët tjerë e kanë parë dhe kanë folur me Ramush Haradinajn, ndërsa ata në Aeroportin e Prishtinës nuk e patën këtë privilegj.
Njëri ndër ta, Banush Sejdiu, që kishte ardhur enkas nga Shkupi, nuk e pati këtë mundësi ta shohë “live” komandantin.
“Jam ardh sot veç me e pa komandantin tonë. Pak njerëz paskan dalë, por do të festojmë shumë kur ai të lirohet”, thotë ky qytetar nga Shkupi.
Ndërsa Besa Llukaj e shfrytëzoi rastin derisa udhëtonte për në Francë për ta parë Ramush Haradinajn.
“Mezi s’po pres me e pa. Ky njeri ka kontribuar shumë për Kosovë dhe e meriton lirinë”, thotë Besa për Express.
Megjithatë, ajo udhëtoi për në Francë pa e parë njeriun që e adhuron.
Makinat e EULEX-it larg syve të medieve dhe qytetarëve e dërguan Haradinajn drejt e në shtëpi.
E ky mision do të monitorojë përmbushjen e kushteve të lirimit të përkohshëm të Haradinajt.
Lideri i AAK-së duhet të paraqitet një herë në javë në policinë e EULEX-it.
"Me kërkesë të Tribunalit, EULEX do të ndihmojë gjykatën në monitorimin e kushteve të lirimit të përkohshëm të zotit Haradinaj”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.
Sipas tij, ndër detyrat që policia e EULEX-it do të kryejë janë shoqërimi i Haradinajt për në dhe nga Aeroporti i Prishtinës, do ta takojë atë një herë në javë, si dhe do të mbajë dokumentet e udhëtimit të tij.
Po ashtu Haradinaj nuk ka të drejtë të flasë për media e as të takohet me gazetarë.
Edhe pse me kushte nuk është saktësuar nëse Haradinaj do të ketë përcjellje nga policia.
I vëllai Dauti tha për Express se Ramushi nuk ka kufizime në lëvizje.
“Ai ka drejtë me dalë në qytet, në kafene”, tha Daut Haradinaj.
Tribunali i Hagës të martën ka marrë vendim për lirimin e përkohshëm të Haradinajt deri në përfundim të procesit.
Fjala përfundimtare e palëve në rastin Haradinaj dhe të dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, do të jepet më 25 e 26 qershor, ndërsa procesi pritet të përmbyllet në muajin gusht.