Thesari Jetes

Thursday, May 24, 2012

Dëshmia: Autobusi rriti shpejtësinë, e ndoqa 20 minuta deri në tragjedi

0 comments
 
...( Thesari Jetes )...


Flet dëshmitari Arben Zotaj: "Si ndihmova 4 vajza. Tentova ta parakaloj, nuk e hapi krahun. Unë po udhëtoja me 40 kilometra në orë”

Është dëshmitari kyç okular në tragjedinë e dy ditëve më parë. Për 20 minuta me makinën e tij ka udhëtuar vetëm dy metra larg autobusit me studente që ra në humnerë, rrugës për në Himarë. Ka parë gjithçka, që nga goditjet në bordurë, frenimin e shoferit dhe fluturimin në greminë. Por jo vetëm kaq. Arben Zotaj, nga Tepelena, u ka ofruar ndihmën e parë katër vajzave, të cilat pas rrokullisjes të autobusit kanë dalë jashtë, dy metra poshtë xhadesë. Në intervistën e tij për gazetën, ai rrëfen momentet e tmerrit dhe si ka mundur të transportojë në një makinë katër të plagosurat për në spital.

Familjarët e njërës nga studentet e mbijetuara na treguan se një orë pas aksidentit e bija i ka telefonuar nga numri juaj për t’i thënë se është mirë. Mund të na thoni si u gjendët pranë së plagosurës?

Është njëra nga katër vajzat që unë kam transportuar në spital atë ditë. Isha duke udhëtuar me makinën time për në Himarë. Kam qenë pas autobusit për rreth 20 minuta. Pashë gjithë aksidentin dhe menjëherë lashë makinën e dola për të ofruar ndihmë.

Pra ju thoni se keni qenë makina e parë pas autobusit deri në momentin që ra. Sa metra larg tij?

Mund të them 2-3 metra larg. Madje i kërkova të parakaloja dhe nuk ma hapi rrugën se po vinte një makinë tjetër përballë. Pastaj për 10 minuta të tjera rruga ka qenë e drejtë. Unë e njoh mirë këtë rrugë, të gënjen, prandaj nuk kërkova ta parakaloja më se kishte kthesa më poshtë.

A po ecte shpejt autobusi gjatë rrugës që ju e kishit përpara?

Gjatë gjithë kohës që isha pas tij autobusi po ecte me një shpejtësi normale për rrugën, aq sa dhe unë, rreth 40 km në orë. Pak minuta përpara se të binte pashë që shoferi e shtoi shpejtësinë. Rruga ishte dishezë në këtë pjesë dhe kishte kthesa më pas. Nuk di ta them me saktësi, po për të paktën 300-400 metra e pashë që po ecte më shpejt se më parë. Rreth 50-60 km në orë.

E patë momentin e rënies. Si ndodhi?

Po ecte shpejt, siç ju thashë. Pastaj papritur i ra bordurës në të majtë dy herë rresht, nga ana e murit. Siç duket, pas përplasjes së parë është përpjekur të mbajë frena. Kjo përplasje nuk ishte shumë e fortë. Mendova se mund ta manovronte mjetin dhe të vazhdonte të ruante drejtimin. Por autobusi e goditi sërish bordurën. Pas kësaj frenoi gozhdë, ishte frenim i fuqishëm. Pastaj fluturoi në ajër i tëri nga ana tjetër. U rrokullis dy herë.

Ra i gjithi përnjëherë? Nuk është se për ndonjë moment gjysma e tij ishte brenda rrugës dhe pjesa tjetër në greminë?

Jo, ra i tëri. U anua nga ana ballore dhe ra i tëri përnjëherë. Nuk pati ndalesë apo ngecje. Pas dy përplasjeve në bordurë dhe frenimit fluturoi në ajër. Ndalova makinën menjëherë. Unë në fillim nuk po u besoja syve.

Çfarë bëtë më pas?

Pashë që autobusi bëri rrotullimin e dytë dhe ra në humnerë. Kisha dalë nga makina. Në këtë moment kam dëgjuar fjalën “ndihmë”. Siç isha mora shokun tim në telefon, se ai po bënte të njëjtën rrugë me kamionçinë. I thashë të vinte të më ndihmonte se kishte rënë një autobus. Hapa krahun dhe parkova makinën. Pashë që dy metra poshtë rrugës dëgjoheshin zëra. Zbrita menjëherë. Në fillim ishin tri vajza të përplasura me njëra-tjetrën që rënkonin. Afër atyre ishte dhe një tjetër.

Ishte terren i vështirë aty ku i morët vajzat?

Ishte i vështirë. Tri kishin ngecur te një pemë dhe disa shkurre, siç ju thashë, ndërsa për vajzën tjetër patëm pak vështirësi me atë shokun, pasi ishte e mbuluar nga dheu. Megjithatë, ajo ishte më mirë se të tjerat. Kishte problem vetëm me sytë thoshte se i digjnin gjatë gjithë kohës dhe kishte dhimbje në trup, por jo si të tjerat. Ajo më dha numrin e së motrës dhe e lajmëruam që ishte mirë.

Të katërta në një makinë i transportuat? Si ishte gjendja e tyre?

Po, të katërta. Rrugës me thoshin që kishin dhimbje të forta dhe mbaj mend që kam qarë me lot dhe vetë se mendova si për motrën time. Unë mbaj mend vetëm që ishin të mbuluara me gjak, se edhe vetë jam shokuar shumë. Doja t’i çoja gjallë në spital e t’i ndihmoja. Kam bërë vetë tri aksidente dhe e di çfarë do të thotë të kesh nevojë për ndihmë. Në fillim njëra dukej si pa vetëdije,por pastaj u përmend dhe ajo. Gjendjen nuk e kishin të mirë por asnjëra prej tyre nuk ishte pa ndjenja.

Ju thanë si kishin arritur të dilnin nga autobusi?

Njëra kishte dalë nga xhami, mbaj mend që më tha kur arritëm. Të tjerat them se gjatë rrokullisjes së parë kanë dalë dhe kanë rënë aty.

Gjatë kohës që ju po nxirrnit vajzat dëgjoheshin thirrje për ndihmë nga gremina?

Dëgjoheshin të bërtitura dhe thirrje për ndihmë. Shumë zëra vajzash. Autobusi ishte i shkatërruar komplet. Aq mund të shihja nga aty ku isha.

Patë persona të tjerë në të njëjtin vend ku morët  katër vajzat,apo ishin vetëm ato?

Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Pashë vetëm ato të katërta, por nuk mund ta them me siguri nëse kishte të tjera.

Keni dëshmuar në polici deri tani për këto që keni parë?

Jo, s’më ka thirrur njeri.

Leave a Reply