Thesari Jetes

Tuesday, May 22, 2012

E Mbijetuara: Ju Rrëfej Tmerrin Që Përjetova Në Grykën E Vishës

0 comments
 
...( Thesari Jetes )...


Intervista
“Më mirë të kishte mbaruar gjithçka atje”
“Më mirë të kishte mbaruar gjithçka aty. Tmerri që përjetuam e kalonte çdo imagjinatë”. Këto kanë qenë frazat e para të shqiptuara nga Besjana Xheneti, një prej të mbijetuarave të aksidentit tragjik që ndodhi dje pasdite në Grykën e Vishës në Himarë. Ngre shpeshherë kokën nga shtrati i pavijonit të reanimacionit të repartit të kirurgjisë pranë Spitalit të Vlorës. E ndërsa mjekët e këshillojë të qëndrojë e qetë, ajo shprehet se e ka të nevojshme që të ngrejë kokën, pasi nuk mbushet dot me frymë. Ndonëse ndihet e dërrmuar, vajza 21-vjeçare nga qyteti i Kavajës, sforcohet dhe na fal një buzëqeshje, teksa i urojmë të shkuara. Ajo tregon më tej tmerrin që ka përjetuar dhe ka parë me sytë e saj, teksa ndodhej në të njëjtën ndenjëse me të fejuarin Armando Halilaga, edhe ky banor i qytetit të Kavajës, i cili ishte mashkulli i vetëm veç shoferit, në autobusin e tragjedisë. Ky i fundit është transportuar me helikopter menjëherë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Mundesh të përshkruash atë çfarë ndodhi gjatë ditës së djeshme, para aksidentit?
U nisëm prej qytetit të Elbasanit dhe kryem një pushim gjatë aksit të autostradës Lushnjë-Fier, ku edhe hëngrëm mëngjes. Më pas kemi shkuar drejt e në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, e më pas u nisëm për në Vlorë. Vendosëm të drekonim në Llogora, por në asnjë prej lokaleve aty nuk kishte vende të mjaftueshme. Më pas morëm rrugën për në drejtim të Sarandës. Gjatë rrugës po i thoja të fejuarit, se pse ecte kaq ngadalë shoferi i autobusit, pasi donim të shkonim sa më shpejt në destinacion. Armandoja më tha se autobusi ishte plot e përplot me njerëz dhe me bagazhe e nuk mund të ecte më shpejt. Duke udhëtuar më kishte kapur gjumi dhe në një moment m’u hapën sytë në çast, kur vërejta se shoferi po përpiqej të kthente timonin në një kthesë të fortë, ku rruga ishte edhe e ngushtë.

Çfarë ndodhi më pas?
Në moment, të gjithë vërejtëm se poshtë ishte një humnerë mjaft e thellë. Ngriva dhe u tmerrova. Më mirë të kishte mbaruar gjithçka në atë çast, që të mos përjetoja atë tmerr. Mbaj mend që autobusi doli nga rruga dhe e kuptova se ishte në ajër. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë atë që ndjeva kur ishim në ajër. Pastaj nuk mbaj mend asgjë. Kur u përmenda mësova se të fejuarin e transportuan me helikopter për në Tiranë, pasi ai kishte këmbën e thyer. Nuk di ç’të them më. Mbaj mend që erdhën shumë banorë të zonës. Kishte shumë njerëz kur na nxorën nga autobusi. Më duket sikur unë jam shkaku që u plagos edhe i fejuari. Shpresoj që ai të jetë mirë e mos të jetë dëmtuar shumë.

Leave a Reply