Thesari Jetes

Saturday, May 5, 2012

Protesta në Bujanoc: Dacic, eja e na arresto! (Video)

0 comments
 
...( Thesari Jetes )...


Protesta në Bujanoc: Dacic, eja e na arresto! (Video)



                                                                    
E plotësuar - “Bujanocin do ta ruajmë”, “Bujanoci është Kosovë Lindore”, “Liri shqiptarëve të Luginës”, “Poshtë regjimi i pasardhësve të Milosevicit”… ishin disa prej afisheve dhe brohoritjeve që u dëgjuan e u panë në protestën e sotme në sheshin “Skenderbe” të Bujanocit,
“Dacici nuk e kurseu as familjen e komandant Lleshi, për ta realizuar spastrimin etnik. Por, këtë kurrë nuk do ta pranojnë qytetaret e Luginës, pasi që Lugina ka edhe shumë komandant Llesha tjerë”, tha. Jonuz Mulsiu, kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanocit para mijëra qytetarëve të cilët mbanin pllakatet me mbishkrimet “Dacic, djali i Milloshit - stop diskriminimit”.
Kryetari Komunës së Buajnocit, Shaip Kamberi, pohoi se “Ivica Dacic nuk e ka hesapin e mire”.
“Shqiptari me dhunë nuk zmbrapset, por bëhet edhe më i bashkuar edhe më i fortë... Nga këtu u themi se të gjithë jemi terroristë dhe le të vije e të na arrestojë të gjithëve nëse mundet”, tha Kamberi.
Kryetari komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, duke dënuar arrestimet e djeshme në Bujanoc pohoi se “nëse Beogradi ka vende për ku t’i fus 120 mijë shqiptaret e Luginës se Preshevës, le të urdhërojë”.
“Nuk e kemi ndërmend të lëvizim nga tokat tona”, tha ai, transmeton Presheva Jonë.
Protesta u ndoq nga forca të mëdha policore dhe ushtarake serbe, por edhe nga përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Serbi. /Telegrafi/

E plotësuar - Në seancën e jashtëzakonshme të tri kuvendeve shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, pjesëmarrësit kanë pohuar se aksioni i djeshëm i xhandarmërisë serbe ka shkelur procedurat edhe normat ligjore, me qëllim të krijimit të frikës dhe konfuzionit në mesin e popullatës shqiptare.
Kuvendi konsideron se praktikat e tilla janë në shërbim të politikave ditore të shtetit, që dëshmojnë mungesën e vullnetit politik dhe për t’u ballafaquar me të kaluarën e errët serbe, transmeton Presheva Jonë.
Përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës apelojnë tek autoritetet e Beogradit që ta ndalin politikën antishqiptare, ndërsa kërkojnë ndërhyrje ndërkombëtare si masë preventive për pengimin e eskalimit të situatës në rajon.
Duke kërkuar nga popullata shqiptare gjakftohtësi dhe maturi, Kuvendi fton qytetarët që t’i përgjigjen në mënyrë masive zgjedhjeve te 6 majit. /Telegrafi/

E plotësuar - Më herët është mbajtur takimi i përfaqësuesve të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Takimi kishte të bënte me mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve të nesërme të Serbisë. Megjithatë, ndonëse kjo është përmendur më herët si opsion, B92 raporton se ky vendim nuk është marrë.
Serbët e Bujanocit, në anën tjetër, e shohin ndryshe aksionin e xhandarmërisë serbe. Svetislav Velickovic, kryetar i të ashtuquajturit Komitet për të Drejta të Njeriut, thotë se “aksioni është i vonuar”.
"Arrestimi është mundur të bëhet më herët, sepse të arrestuarit moti ishin të njohur për policinë," tha ai.
Anëtari i këshillit komunal në Bujanoc, Miodrag Milkovic, këtë rast e krahason me vendimin e pafajësisë për Fatmir Limajn, sipas të cilit “është vërtetuar se drejtësia në hapësirën e atjeshme pothuaj nuk ekziston”.
"Të gjithë ata që kanë kryer krime lufte duhet të përgjigjen. Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare, mbi të gjitha, dhe shtetet që janë krijuar me shkatërrimin e ish Jugosllavisë nuk kanë as fuqi e as vullnet për të ndjekur penalisht njerëzit që vërtetë kanë kryer krime të rënda lufte”, thotë ai. /Telegrafi/

E plotësuar - Pas arrestimeve të shqiptarëve - gjoja të dyshuar për krime lufte gjatë vitit 2001 - situata në Bujanoc është e tensionuar.
Siç mëson B92, përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës do të takohen për të biseduar për mundësitë e bojkotimit të zgjedhjeve. Pastaj, në mesditë, në sheshin e qytetit do të mbahet një miting proteste për shkak të arrestimit të bashkatdhetarëve të tyre.
"Veprimi i djeshëm i xhandarmërisë serbe është vazhdimësi e terrorit shtetëror që kryhet mbi shqiptarët në Bujanoc e Preshevë që nga viti 1990”, ka thënë Riza Halimi, lider i Partisë për Veprim Demokratik.
Ai ka thënë se shqiptarët me kujdese do ta studiojnë situatën e re, se nuk do të lejojnë të manipulohen, dhe se do të kërkojnë nga pushteti serb që të deklarohet se kush qëndron prapa veprimit të organizuar nga ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic.
Shaip Kamberi, kryetar i komunës së Bujanocit, ka thënë në një konferencë për shtyp se aksioni i xhandarmerisë është tentim i ri i Ivica Dacic që në Luginë ta instalojnë gjendjen e jashtëzakonshme.
"E kishim rastin e vitit 2009, kur policia bastisi fshatin Luçan. Atëherë janë kryer disa akte spektakolare me qëllim që të kapin terroristët shqiptarë. Dhe jo vetëm atëherë, sepse aksione të tilla ka më shumë, por asnjë gjyq serb nuk ka arritur të vërtetojë se këtu ka terrorizëm të organizuar dhe se shqiptarët janë të interesuar për dhunë”, ka thënë ai.
Kamberi tha se Dacic e ka dëmtuar rëndë Partinë për Veprim Demokratik, sepse anëtarët e xhandarmërisë kanë kapur dhe rrahur zyrtarin e lartë të tyre, Izet Qazimin, vëllain e të vrarit Ridvan Qazimi - i njohur si Komandant Lleshi (anëtarë i UÇPMB-së).
"Është e tmerrshme për drejtësinë, por ja që e e dimë se është selektive drejtësia që e ofron Vukcevici, si prokuror special, dhe Ivivca Dacici si ministër i Brendshëm. Është e tmerrshme të futen në shtëpi të huaja e paraprakisht të mos e tregojnë autorizimin për këtë”, ka shtuar Kamberi. /Telegrafi/

Leave a Reply