Socialisti François Hollande do të jetë president i Republikës së Francës. Sipas sondazhit të publikuar nga agjencia e lajmeve AFP, Hollande ka fituar ndaj presidentit në detyrë Nicolas Sarkozy me 52-00 për qind të votave.
“Është një gëzim i pamatur”, ishin fjalët e para që tha Benoit Hamon, zëdhënësi i Partisë Socialiste, pas lajmit mbi fitoren e François Hollande pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura këtë të diele në Francë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Sipas exit polleve të para të realizuara nga disa institute sondazhesh, François Hollande rezultoi fitues i presidencialeve franceze me plot 52-53 për qind.
Lajmin e bëri publik edhe siti i përditshëm belg “Le Soir”.
Sipas Ipsos e Bva, Hollande ka marrë 52,5 për qind të votave, ndërsa Sarkozy 47,5 për qind .
Ndërkohë, sipas sondazhit të Tns Sofres, Hollande ka fituar 53,5 për qind të votave, ndërsa Sarkozy 46,5 për qind .
Sipas Ifop, Csa e Harris, Hollande ka marrë 53 për qind e Sarkozy 47 për qind të votave.
Të dhënat e sondazheve u morën pas daljes së votuesve nga qendrat e votimit, në orët 8-11 të paradites së të dielës.
ANSA, bën me dije se sipas burimeve diplomatike, Nicolas Sarkozy ka anulluar festën e lajmëruar për sonte në “Place de la Concorde”.
Sipas exit polleve që vijojnë të publikohen nga personalitetet politike dhe gazetarët francezë në Twitter, socialisti François Hollande është në avantazh ndaj Nicolas Sarkozy, që varion nga 53 për qind -47 për qind në 52,5 për qind -47,5 për qind .
Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale franceze u thirrën për të zgjedhur presidentin e ri, 46 milionë francezë.